Sqarim - 14 tetor 2022
13-10-2022
Me datë 14.10.2022,
Drejtoria e Shkollës SH.F.M.U “Jeronim de Rada” bën këtë:
SQARIM
Deri më sot nuk është reaguar nga ana jonë lidhur me ngjarjen e fundit të publikuar në media të fëmiut parashkollor me inicialet E. I., për arsye që kemi pritur që t’i analizojmë të gjitha rrethanat lidhur me rastin. Ne si staf menaxherial i shkollës, evidentojmë mbi rastin se fëmiu ka vijuar mësimin për pothuajse dy ditët e para të vitit shkollor (me datë 03 dhe 04 tetor 2022). Në grupin e parë të parafillorëve, pjesë e të cilit ishte edhe nxënësi E. I., procesi mësimor fillonte prej orës 10:00. Edukatorja e grupit znj. Luljeta Beqiri kishte njoftuar nënën e fëmiut lidhur me rregulloren e brendshme të shkollës, dhe me ç`rast i ka sygjeruar asaj që të bisedojë me drejtoreshën e shkollës lidhur me pikën që binte ndesh norma e rregullit shkollor dhe fëmiut të saj, e që në fakt kishte të bënte me flokët e gjata të të birit të saj. Më pas kësaj, Drejtoresha e Shkollës ka takuar prindin e fëmiut dhe me ç`rast i ka prezantuar rregulloren e shkollës, duke i potencuar faktin se kjo si rregullore është përpiluar, shqyrtuar, analizuar dhe vendosur nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Mbi këtë parantezë, drejtoresha ka elaboruar prindin se rregullorja ka vite që është mishëruar me përfaqësimin e kësaj shkolle dhe se janë organet e shkollës ato që vendosin se si duhet të jenë rendi, kodi etik, moral dhe ai i përfaqësimit të nxënësit brenda shkollës sonë.
Sa për të informuar publikun, rregullorja e brendshme e shkollës është përpiluar vite përpara dhe është trashëguar mandat pas mandati në Këshillet Drejtuese të Shkollës, dhe si e tillë është pranuar dhe respektuar nga i gjithë stafi mësimor dhe menaxherial në shkollë. Rregullorja ka qenë dhe është (deri në ndryshimin e kërkuar në procesverbalin e datës 13.10.2022 nga Inspektoriati i Punës brenda afatit kohor të caktuar) publike e ekspozuar në secilën klasë mësimore dhe në zyret e stafit menaxherial.
Megjithatë, ne si drejtori me përgjegjësi të lartë morale garantojmë që qëllimi i rregullores ishte që në maksimumin e saj t’i shërbente shkollës mbi kodin etik të sjelljes dhe paraqitjes së nxënësit, ishte gjithpërfshirëse, e aspak cënuese në karakterin personal të askujt në cilëndo pozitë shoqërore brenda dhe jashtë shkollës.
Gjithashtu, me qëllimin e pasurimit të rregullores së brendshme të shkollës, unë si drejtoreshë kam kërkuar që në mbledhjen e mbajtur me datë 20.02.2019 (shih: dëshmia e procesit verbal) mes anëtarëve të Këshillit Drejtues së Shkollës, njëra ndër pikat e rendit të ditës, saktësisht pika 2. e saj të jetë: “Rishikimi i rregullores së kodit etik për nxënësit”, gjë e cila është e dokumentuar edhe në përmbajtje të procesverbalit të asaj dite, ku po ashtu në të njejtin procesverbal pas mbajtjes së mbledhjes është evidentuar vendimi mbi këtë pikë të rendit të ditës i cituar sikurse vijon: “Në pikën e dytë u rishikua rregullorja e shkollës dhe u vendos kjo rregullore të mos ndryshohet, por të rrespektohet dhe të zbatohet në përpikmëri”. Këtë mund ta dëshmojnë edhe anëtarët pjesëmarrës në mbledhjen e atëhershme. Kjo pikë e rendit të ditës ishte pjesë e diskutimeve edhe të mbledhjeve të mëhershme të KDSH-së, edhe para vitit 2019, kështu që kjo rregullore nuk është diçka e re apo e panjohur përmbajtja e saj.
Ndërkaq, me datë 13.10.2022, kemi pranuar procesverbalin e mbajtur gjatë inspektimit tematik me qëllimin e inspektimit “ Shqyrtimi i rastit të publikuar në media mohimin (largimin) e fëmiut 5 vjeçar nga procesi mësimor në shfmu “ Jeronim de Rada”, ku me këtë procesverbal kemi marrë rekomandimin që Drejtoria e Shkollës në koordinim me Këshillin Drejtues të Shkollës të rishikojmë rregulloren e shkollës dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme në rregulloren e shkollës, prandaj menjëherë do të bëhet koordinimi në mes Drejtorisë dhe Këshillit Drejtues së Shkollës që brenda afatit kohor të përcaktuar në procesverbal të bëjmë ndryshimet e nevojshme.
Gjithashtu, sigurojmë që prindi i fëmiut është lajmëruar për kthimin e fëmiut në shkollë nga personeli i shkollës, përkatësisht nga sekretarja e shkollës Albulena Ahmeti.
Vlenë të ceket që në shkollën tonë është funksionale hierarkia e adresimit dhe shqyrtimit të ankesave nga të gjitha palët e interesit në shkollë. Shkolla ka edhe komisionin e veçantë për shqyrtimin e ankesave, të cilat adresohen në kutitë e ankesave, kuti këto të cilat ndodhen në të gjitha hapësirat e shkollës. Përveç kësaj, çasja direkte me stafin menaxherial të shkollës nuk ka munguar asnjëherë, duke ofruar asistencë dhe gatishmëri të plotë për t’u përgjigjur në të gjitha shqetësimet dhe ankesat e adresuara.
Mu për shkak të këtyre mundësive për adresimin dhe shqyrtimin e shqetësimeve dhe ankesave nga ana e pjesmarrësve në shkollë, asnjëherë në historinë e shkollës nuk na ka ndodhur që të kemi probleme të kësaj natyre si rasti në fjalë, pasi që ka pasur koordinim dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm në mes të stafit menaxherial, Këshillit Drejtues të Shkollës dhe trekëndëshit didaktik.
Është e dokumentuar përmes arritjeve dhe sukseseve të shumta se shkolla “Jeronim de Rada” është shkollë elitare, dhe pikërisht për shkak të rregullave brenda saj, fluksi për regjistrimin e fëmijëve në këtë shkollë është në nivelin kulminant që nga themelimi i saj. Arritjet dhe sukseset e kësaj shkolle janë të vulosura në secilën pëllëmbë të saj, qoftë në infrastrukturë, në inventar, cilësi mësimore dhe vetëm falë punës dhe rregullit që mbizotëron në këtë shkollë, po arrihet që të mbahen me të njejtin intenzitet edhe sot e kësaj dite.
Andaj, e gjithë kjo përpjekje për të zbehur, baltosur, denigruar imazhin tim si drejtoreshë e shkollës dhe shkollën në përgjithësi, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje me prapavija tendencioze, të cilat me kohën do të kuptohen!
Sido që të jetë, rasti në fjalë le të shërbejë për ne si Drejtori e Shkollës dhe për të gjithë shkollën pa dallim, gjithmonë si nxitje dhe përpjekje për përditësime të nevojshme pozitive për aspektet e zhvillimit pedagogjik, në mënyrë që përpjekja jonë të jetë përsosje shoqërore kundrejt kërkesave aktuale.
Read more